top of page

Francezet "antishqiptare" dhe "progreke", apo ...

Maurice_Sarrail_komandant_na_trupite_vo_Solun-1.jpg

Maurice Sarrail, ishte nje nga gjeneralet me te rendesishem franceze te Luftes se Pare Boterore. Ne Tetor te vitit 1915 ai u emerua Komandant i Forcave Aleate ne zonen e Ballkanit Lindor dhe u vendos ne qytetin e Selanikut (Thessaloniki). Ne Dhjetor te vitit 1916 ai aprovoi krijimin e “Republikes Autonome te Korces”. Ne kete foto, mbrapa tij eshte varrur nje harte ku tregohet dhe territori shqiptar. Gjenerali Sarrail ishte largpames, ai mendonte se si Franca do te shtrinte influencen dhe ndikimin e saj ne periudhen e pasluftes. Ne Gusht te vitit 1917 ai i dergoi nje leter Aristide Briand, nje politikani te degjuar francez te asaj kohe, ku midis te tjerash shkruhej: “Ne duhet te pregatitemi per periudhen e pas-luftes duke filluar menjehere prezantimin e produkteteve dhe vlerave franceze ne te gjitha vendet qe ushtrite tona kane mare nen kontroll”. C’do te thoshte kjo per Shqiperine ? Historia e Themistokli Germenjit dhe “Varreve te Francezeve" japin nje ide me te qarte ...

Shihemi ne “Bashta e Geges”, nga ora ... keshtu e linim nganjehere takimin me shoket e rinise. Kush ka lindur dhe eshte rritur ne Korce e kupton shume mire se c’fare dua te them. Perpara bustit te Themistokli Germenjit, qe qendron ne hyrje te parkut, kam kaluar dhe ri-kaluar mijera here, por te them te drejten nuk mund te them se c’fare shkruhej ne pllakat prej bronxi qe qendronin ne te dy anet e pidestalit te tij, te cilat sot nuk egzistojne me. Ka shume mundesi qe ato te jene ckulur dhe shitur per skrap … Po ashtu, nuk kam idene ne se emertimi “Bashta e Geges” lidhet me mbiemrin Germenji. Nga ana tjeter mund te them se burri qe eshte monumentalizuar ne qender te qytetit ka patur lidhje te drejtperdrejte me disa nga burrat, eshtrat e te cileve gjenden ne te dale te qytetit; e kam fjalen per “Varret e Francezeve” - nje pike tjeter e rendesishme e historise se qytetit te Korces. Nuk eshte fare cudi qe Themistokliu dhe ndonje  nga ushtaraket e varrosur aty te kene patur njohje personale. Ishte pikerisht lidhja me francezet qe e beri Themistokliun nje person te njohur ne historine e Shqiperise.

 

Themistokli-Germenji-Bust-2.jpg

Pas viteve 1990, ne Shqiperi u demtuan apo u shkateruan plotesisht shume monumente dhe vepra perkujtimore. Megjithese bazamenti i bustit te Themistokliut pesoi deme te konsiderueshme, fatmiresisht busti vete i shpetoi trazirave te kohes.

Keto foto jane nxjere ne periudha te ndryshme kohore. 

Busti-Th-Germenji-Sot-1.jpg

Historia e marredhenieve te Themistokliut me francezet filloi kur keta te fundit pushtuan Korcen dhe zonat e saj; kjo ndodhi ne fund te vitit 1916-te. Kam lexuar shkrime te historianeve dhe amatoreve te ndryshem qe trajtojne temen e "Republikes se Korces", kontrollit francez dhe situatave politike qe lidhen me ate periudhe kohore. 

Pershkrimet dhe mendimet jane nga me te ndryshmet. Para disa ditesh, lexova nje shkrim ku thuhej se Franca kishte per qellim qe zonen e Korces t’ja jepte Greqise … Ah keta francezet, armiqte e Shqiperise ! Gjithmone na kane sabotuar - do te thote dikush. Sa e vertete eshte kjo ? Varret se me ke diskuton.

Ne kete shkrim te permbledhur do t’ju referohem disa materialeve franko-europiane. Po filloj me ushtarakun qe ishte nismetari i marrveshjes qe coi ne krijimin e “Republikes Autonome te Korces” - sic njihet gjeresisht. Emri i tij ishte Henri Vincent Descoins. Pozicioni qe mbante: Komandanti i trupave franceze qe kishin pushtuar qytetin e Korces dhe rrethinat e tij, nje pushtim qe zgjati nga viti 1916 deri ne vitin 1920. Kolonel Descoins, nepermjet nje letre, i shpjegon situaten Gjeneralit Leblois, komandantit te Ushtrise Franceze - Deges Lindore, i cili ishte vendosur ne qytetin e Manastirit/Bitolas. 

 

Korce, 10 Dhjetor, 1916

N ° 178 / S

 

Kam nderin t’ju raportoj si me poshte:

Ashtu sic e prisnja, problemi Shqiptar u ngrit ne Korce ne formen sic e kisha pershkruar ne paragrafin 2 te raportit tim me Nr. 132/S te dates 6 Dhjetor, 1916.

 

Kete mengjes, 10 Dhjetor, une prita viziten e 14 perfaqsuesve te popullates. Njeri prej tyre u shpreh me keto fjale:

“Na lejoni Ne, delegatet e popullates shqiptare, te paraqitemi dhe deklarojme para jush, perfaqsuesit te Frances, qe Kazaja e Korces, se bashku me zonat nen varresi te saj, Bilishtin, Kolonjen, Oparin dhe Goren, eshte tani nje province autonome e administruar nga zyrtare shqiptare. Ne kerkojme te vendosim veten tone nen mbrojtjen e autoritetit ushtarak francez”. 

 

Duke qene se kjo deklarate dhe kerkese nuk kishte asgje ne kundershtim me piken Nr. 2995 (CAA) te dates 29 Nendor, 1916, qe e perkufizon Korcen si nje territor ushtarak, une u pergjigja: 

 

“Ju erdhet para meje te shprehni deshiren e popullates shqiptare te Kazase se Korces, qe prej ketij momenti dhe ne vazhdim te jetoni te lire nen mbrojtjen e Ushtrise Franceze. Si perfaqsues i Komandes Franceze, une bie dakord me kerkesen tuaj. Permeteper, une deklaroj se duke filluar nga sot, 10 Dhjetor, Kazaja e Korces, me rrethinat e saj Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, perbejne nje province autonome, e administruar nga zyrtare shqiptare nen mbrojtjen e Autoritetit Ushtarak Francez”. 

 

Ne perputhje me situaten, delegatet dhe une pregatitem dhe firmosem nje protokoll, nje kopje e te cilit eshte bashkangjitur. 

 

Administrata dhe policia e territorit, qe tani dhe ne vazhdim, garantohen nga kushtet e permendura ne protokoll. 

 

Nje rregull dhe qetesi totale ka mbreteruar mbi qytet.

Sali Butka, (Salih Budka), i informuar rreth kesaj ngjarje, me la te ditur se ai mbante anen tone.  

(Shenimi im: Me sa duket, ne fillim Sali Butka ka qene perkrahes i francezeve dhe me vone eshte kthyer ne favor te Austriakeve. Francezet insistonin se austriaket i morren Saliut djalin, Safet Butken, me preteksin se do te studjonte ne Graz, Austri, keshtu qe ai ishte i detyruar te luftonte per ta. Thuhet se Saliut i ishte afruar dhe nje post i rendesishem ne se Austro-Hungaria do te dilte fitimtare ne Luften e Pare Boterore).

 

Me poshte tregohet teksti/permbajtja e marrveshjes ne fjale qe ne nje fare menyre e ktheu Korcen ne nje qytet-shtet. 

 

Protokoll

Korce, 10 Dhjetor, 1916.

 

I. Ne perputhje me deshiren e popullates shqiptare te shprehur nga delegatet e saj, Kazaja e Korces, me zonat qe varren prej saj, Bilishtit, Kolonjes, Oparit dhe Gores, perben nje province autonome, e administruar nga zyrtare shqiptare, nen mbrojtjen e Autoritetit Ushtarak Francez. 

 

II. Administrimi i Kazase i besohet nje keshilli me 14 antare, nje pjese te krishtere, nje pjese myslymane. Ky keshill eshte pergjegjes per:

1- Studimin e te gjitha masave qe kane per objektiv administrimin e mire te Kazase se Korces dhe rrethinave te saj.

2- Kontrollin e te gjitha sherbimeve publike.

 

III. Keshilli do te propozoje per miratim nga Autoriteti Ushtarak Francez emrat e personave qe do te mbajne poste te ndryshme. Emerimet ne postet e komisionit do te behen nga Autoriteti Ushtarak Francez. 

 

IV. Komisioni do te vendoset nen autoritetin e prefektit te policise. Nje trupe xhanderarie-policie do te ngarkohet per mbajtjen e rregullit te brendshem. 

 

V. Nje trupe e “xhandermarise se levizeshme shqiptare” do te krijohet dhe ngarkohet me deryren e ruajtjes se integritetit te territorit dhe lirise se banoreve te tij.  

 

VI. Gjithashtu, per te njejtat qellime, mund te krijohen trupa vullnetaresh, numri i te cileve do te varret nga situatat mometale dhe fondet ne dispozicion. 

 

VII. Ne kohe mobilizimi, forcat policore, xhandermaria e levizeshme, dhe trupat vullnetare do te vihen nen autoritetin superior te oficerit, (francez), qe komandon Rrethin e Korces.

 

VIII. Gjuha zyrtare do te jete shqipja. 

 

IX. Flamuri i Kazase se Korces do te jete formati standart i Skenderbeut me nje shirit te ngjyrave franceze.

 

*****

Ky protokoll ishte nenshkruar/miratuar nga 14 perfaqesues te qytetit; 7 qytetare te besimit te krishtere dhe 7 qytetare te besimit myslyman. Nga pala franceze, firmoses ishte Kolonel Descoins, komandanti ushtarak i Korces.

Formulimi i ketij dokumenti tregon qarte se nuk behet fjale per autonomi, por per nje nenshtrim “me propozim nga poshte dhe miratim nga lart”. Pavaresisht kesaj, pushtimi francez dobesoi ne maksimum ndikimin greek qe egzistonte ne Korce dhe zonat prane saj. Francezet kishin qellime afatgjata dhe i vune ne zbatim planet e tyre qe ne momentet e para te marrjes nen kontroll te territoreve te lartpermendura. Thashethemet, se francezet po perpiqeshin t’ja jepnin Korcen, Greqise - jane fare te pabaza dhe nuk perputhen me realitetin kohor. 

Koloneli Descoins, perpara se te nisej ne misionin e tij per pushtimin e Korces, ne daten 15 Nentor, 1916, mori udhezime te prera nga zyra e Gjeneralit Sarrail, komandantit me te larte ushtarak francez ne Ballkan; Urdheri ishte ky: “Gjenerali nuk do ne Korce as edhe nje lloj greku (1), italiani apo esadisti”

Natyrisht qe urdherat e Gjeneralit Sarrail u zbatuan deri ne nje. Grek, jo-grek, francezet arestuan dhe denuan me burgim shume persona pro-greke, kryesisht mbeshtetes te Mbretit Kostantinos, te cilet u derguan per te vojtur denimin ne Greqi/Thessaloniki. Ata mbyllen shume shkolla greke; tjetersuan institucionin me te rendesishem mesimor qe egzistonte ne qytet duke e kthyer ate ne nje “Lice Francez”, Ne kete institucion, te gjitha lendet mesoheshin ne gjuhen frenge. Gjuha shqipe mesohej si nje lende me vete. Gjthashtu hapen 150 shkolla elementare ku filloi te mesohej gjuha frenge. Nen kontrollin dhe stimulimin francez, administratoret e qytetit ngriten sherbimin doganor ne kufi me Greqine, organizuan mbledhjen e taksave, sherbimet postare, perfshi printimin e pullave, kartemonedhave te reja (Franga Shqiptare), etj. U krijua dhe zbatua nje plan i madh agrar per fshatrat e Korces dhe te Bilishtit. Ne fushen e drejtesise, filloi zbatimi i nje ligji te ri penal dhe sistemi gjyqesor. U emerua nje funksionar qe te monitoronte dhe kontrollonte veprimtarite fetare. Ndersa ushtaraket franceze organizuan nje lloj sistemi shendetesor qe kulminoi me ndertimin e nje spitali qe trajtonte ushtaret dhe banoret vendas. 

Permeteper, Koloneli Descoins u perpoq me shume rruge dhe forma ta bente sa me te kenaqur nje pjese te parise korcare. Mbeshtetjen e ketij grupi ai e konsideronte te domosdoshm per arritjen e qellimeve momentale dhe afatgjata. Bile, francezet nxiten ndjenjat nacionaliste te shqiptareve, te cilat me vone i frenuan kur pane qe ato filluan te dilnin jashte kontrollit dhe u bene rrezik per Francen dhe aleatet e saj. 

Perse do ti bente Franca te gjitha keto ? Per t’ja ri-kthyer Korcen, Greqise ? A e shikon dikush mosperputhjen qe shoh une, apo eshte thjesht ideja ime ? 

Jo vetem qe Franca nuk kishte kete gje nder mend, por ajo bente plane imperiale per te ardhmen, marrdheniet dhe ndikimin e saj ne rajon pas perfundimit te luftes.

Ne nje raport te dates 6 Korrik, 1919, shkruhet se influenca franceze eshte e dukshme ne Korce dhe territorin perreth dhe kjo ka ardhur si rezultat i:

1- Administrimit te ndershem.

2- Respektimit te ndjenjave te banoreve vendas.

3- Permiresimet e medha ne sistemin e edukimit publik.

4- Sigurine e vendosur ne vend dhe prespektiven ekonomike qe ka ardhur si rrjedhim. 

Gjuha frenge studjohet ne te gjitha shkollat shqiptare te zones. Se fundmi, francezet kane krijuar besueshmeri dhe simpati ne mes te popullates vendase. 

Kjo influence eshte perhapur jashte kufijve te ketij territori. Interesat e situates te deritanishme kane qene detyrimi i serbeve dhe grekeve te respektojne limitet e vena ne Londer, dhe ne kete menyre te eleminohen konfliktet e armatosura midis tyre dhe shqiptareve. Gjithashtu, distancimi i pikave te ferkimit midis italianeve, serbeve dhe grekeve. 

Per te ardhmen; influenca qe kemi arritur mund te kthehet ne nje baze ekspansioni te industrive tona dhe zhvillimin e metejshem te studimit te gjuhes frenge. 

Shume shqiptare, qe deri tani shkonin te punesoheshin apo te ushtronin aktivitete biznesi ne Shtetet e Bashkuara, do te vijne ne France dhe me krahet e tyre ata do te sjellin tek ne nje mbeshtetje te vlefshme.  

 

Mendoj se ne keto raporte ka egzagjerime, por brendia eshte nje: Francezet ishin pro-shqiptare dhe anti-greke. Natyrisht qe ata kishin per qellim permbushjen e interesave te tyre. 

Po kthehem tek Themistolkli Germenji; per 11 muaj, nga 10 Dhjetori 1916 deri ne 7 Nentor 1917, ai u be pjese e projektit francez. Pozicioni i tij ishte kryetar i policise se Republikes Autonome te Korces. Ai u arestua me akuzen per tradheti, bashkepunim me Bullgaret dhe Austro-Hungarezet, dhe u denua me vdekje nga nje gjykate ushtarake franceze ne qytetin e Selanikut/Thessaloniki. Ka shume gojdhena rreth ketij procesi, por nje gje eshte e qarte; Gjykimi ushtarak behet me dyer te mbyllura dhe protokolli gjyqesor nuk behet publik. Tashethemet se Themistokliu kerkoi kete apo ate gje mbeten thashetheme deri sa te dale ne drite raporti procedurial. 

Nje material interesant shfaqet ne gazeten “Djelli”, organ i shoqates te degjuar shqiptare “Vatra” ne USA. Nje fragment nga faqja e saj elektonike tregohet me poshte(2).

Gazeta-Dielli-Th-Germenji-Leter-2.jpg

Se fundmi, perse “Varret e Francezeve” jane mbajtur me aq kujdes, bile shume me mire se vete varret e vendallinjve ? Mendoj se Enver Hoxha personalisht e luante karten e “Varreve” si nje mjet komunikimi me qeverine franceze. Nga ana tjeter, ne se Enveri do ti kishte konsideruar francezet si armiq te Shqiperise, eshtrat e ushtareve do te kishin perfunduar ne nje grope masive, ose zhdukur fare … Perkundrazi, per mirembajtjen e tyre ishte punesuar nje person qe punonte 6 dite ne jave me te vetmen detyre te mbante ne rregull absolut c’do gje qe ndodhej brenda murreve te varrezave. Personi ne fjale ishte nje burre i edukuar dhe njohes i disa gjuheve. Une kam patur fatin ta njoh ate personalisht. Ai ishte dajoja i vjehrrit tim dhe quhej Hareto Sotiri (Gogo). Haretoja kishte lindur ne Qyteze, nje fshat prane kufirit Shqiptaro-Grek. Ai kishte mbaruar shkollen Zosimea ne Janine dhe gjate Luftes Civile Greke kishte qene korrier i sherbimeve sekrete shqiptare. Haretoja kishte takuar dhe Niko Bellojanin, “Njeriun me Karafil” - ne se dikujt i kujtohet filmi me kete emer. Pra, “Varret e Francezeve” ishin ne kontroll, mbrojtje, dhe monitorim te vazhdueshem. Ne foton e meposhtme, nga e majta ne te djathte: Sotiri (Gjyshi i gruas sime) - Dhimitrula (Gjyshja e gruas sime), - Gliqeria (Gruaja e Haretos) - Haretoja (Vellai i Dhimitrules).

Sotir-Dimitrula-Gliqeri-Hareto-1.JPG

Perpara se ta mbyll, dy fjale rreth 640 ushtareve qe gjenden te varrosur aty; pjesa dermuese e tyre ishin persona te sjelle nga kolonite e Frances, kryesisht nga Indokina, Senegali dhe Algjeria. Eshte ironi e fatit, te kesh lindur ne Vjetnam dhe te vritesh ne malet e Shqiperise duke luftuar per interesat e Frances …

Trupat-Franceze-Korce-Janar-1917-2.jpg
Varret-e-Francezve-1.jpg

Si perfundim, keqperdorimi dhe tjetersimi i fakteve historike eshte bere nje rutine e zakonshme, si midis historianeve te “oborrit” ashtu dhe ne mes te “patrioteve” te medias sociale. Me vend dhe pa vend, ne kundershtim me te gjitha faktet dhe dokumentet zyrtare, krijohen armiq imagjinare dhe hipoteza te cuditeshme. Shpesh here nuk eshte i qarte as qellimi, as objektivi i ketyre deformimeve historike. Te jete padije, apo dicka tjeter ? Nje nga keto shembuj eshte dhe teoria qe thote se Franca ka qene dhe mbetet pro-greke dhe anti-shqiptare. Ne rastin e “Republikes Autonome te Korces”, ne se Franca do te kishte qene pro-greke, sot ne Korce, por edhe me gjere, gjerat do te ishin krejt ndryshe … Bie fjala, “Kori i Pleqve” do te kendonte me buzuki kenge te Vasili Cicanit, si per shembull:  "Τι σου λέει η μάνα σου για μένα" ... qe ju mund ta degjoni KETU.


 

Shenime dhe sqarime rreth shkrimit

Nga ana e rendesise historike, "Republika Autonome e Korces" kishte nje funksion dhe rol te paqarte. Si kunder-pergjigje, austriaket krijuan nje lloj "Republike te Pavarur" ne zonat qe kishin pushtuar ne Shqiperine qendrore dhe veriore, ndersa italianet shpallen protektorat te tyre zonat e jugut, Pra, ne realitet u krijuan 3 "Shqiperi te Pavarura" nga njera-tjetra. Perse u vleresua dhe glorifikua vetem njera nga keto "Republika te Pavaruara" ? Personalisht, mendoj se ishin komunistet shqiptare, Enveri dora-vete, qe seleksionuan dhe ngriten ne pidestal vetem njeren ... por kjo eshte nje teme tjeter diskutimi.

Ne kete harte tregohen respektivisht "Republikat Autonome Shqiptare" te njohura nga:

 

 Austriaket 

 Francezet 

 Italianet 

Duhet nenvizuar se gjate kontrollit francez, ne Korce u zvilluan disa institucione fillestare te organizimit dhe funksionimit te nje "Mini-shteti". Disa borgjeze te rinj, dhe pjestare te inteligjences qytetare, te stimuluar nga politikat franceze, tentuan ta kthenin Korcen ne "Kryeqytetin" e zonave jug-lindore. Fale ndikimit francez, ata arriten te benin kete deri ne nje fare niveli ...

Albania-divisions-1915-1.jpg

Ky shkrim eshte bazuar ne keto materiale/burrime informacioni:

- https://journals.openedition.org/balkanologie/315

- https://fr.linkfang.org/wiki/R%C3%A9publique_de_Kor%C3%A7a

- Les Français et la République de Kortcha (1916-1920) - Stefan Popescu

- https://europecentenary.eu/

- https://www.numizon.com/en/

- Disa fotografi dhe harta e zonave te vendit te pushtuara nga ushtrite respektive jane marre nga Wikipedia.

*****

 

1- Gjenerali francez nuk deshironte as prezencen e perkrahesve te Mbretit te Greqise, Kostantinos, dhe as te mbeshtetesve te kryeministrit Venizelos. Ne ato vite, Greqia ishte e ndare ne dy grupe dhe ndodhej ne nje lufte te brendeshme politike, qe kishte arritur ne nivelet e luftes civile. Franca ishte aleate e krahut te Kryeministrit Venizelos, ndersa e konsideronte krahun e Mbretit Konstantin si force armike. 

2- https://gazetadielli.com/?s=themistokli+germenji

Tetor, 2021

bottom of page